Kombëtarja U19, femrat, e Kosovës në volejboll është nisur drejt Bullgarisë, aty ku e pret testi i vështirë që sjellë konkurrenca e fortë në Kampionatin Ballkanik.
"Dardanet", e drejtuara nga selektori Berat Husaj dhe ndihmësit e tij Rudina Berisha dhe Drilon Haziri, do të testojnë forcat me Kombëtaret më të forta të regjionit, mes datave 10-14 korrik, 2023.
Kosova U19, para nisjes, zhvilloi një ndeshje kontrolluese kundër Kosovës U22, në mënyrë që të fitohet tempoja e duhur para testit të parë kundër Malit të Zi, të hënën, me fillim nga ora 18:00.
Ndeshjen e dytë, vashat tona e zhvillojnë me 12 korrik kundër nikoqirit të garës, Bullgarisë, ndërsa rezultatet nga këto dy ndeshje përcaktojnë fatin e mëtutjeshëm të tyre në këtë garë.