Ekipet nga Kosova kanë lënë gjurmë edhe në garën e fundjavës në beach volley “Tirana Open”, e cila u mbajt në kryeqytetin shqiptar.
Në një organizim të bukur në sheshin kryesor të Tiranës, nga 25 deri më 27 gusht 2023, adhuruesit e volejbollit në rërë, kanë patur mundësi të shohin nga afër spektaklin që dhuroi kjo garë.
Finalet e djemve dhe vajzave, poashtu sollën duele interesante, mes ekipeve tona, që e dominuan garën.
Te djemtë, kampionë u shpallën Ermal Maliqi/Erion Bajrami, të cilët në finale mposhtën dyshen Gazmend Husaj/Dardan Husaj.
Te vajzat dyshja Adelajda Prenga/Xhudjena Kruti triumfoi ndaj çiftit ferizajas Valmira Ramadani/Loresa Avdyli.
Ky aktivitet u organizua nga Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim me KS Tirana dhe mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.