Pas një kampionati fantastik në Serinë A2, duke qenë protagonistja kryesore në ngjitjen e Romës në elitën e volejbollit italian, Erblira Bici e ka filluar në mënyrë të shkëlqyer edhe edicionin 2023-2024 në Serinë A1.
Kapitenia e kombëtares shqiptare të volejbollit është shpallur lojtarja më e mirë e ndeshjes në suksesin që Roma shënoi në javën e parë të kampionatit italian. Kryeqytetaset triumfuan në transfertë kundër skuadrës
Megabox Volley me rezultatin 2-3 (25-22; 20-25; 19-25; 25-19; 12-15), pas një beteje të vërtetë në parket, ndeshje që zgjati rreth 2 orë e gjysmë.
Në këtë takim Bici meritoi çmimin e parë MVP sezonal, pas një paraqitjeje për duartrokitje. 28-vjeçarja e lindur në Gramsh ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes. Ajo regjistroi plot 22 pikë në sfidën debutuese në elitën e volejbollit italian me Romën.
19 pikë Erblira i stampoi me finalizimet perfekte në sulm, 1 pikë me “ace” dhe 2 pikë me blloqe fituese. Një ndeshje e madhe e volejbollistes kuqezi, e cila e nis kështu me këmbë të mbarë sezonin.