Fundjava që vjen do të ketë në qendër të vëmendjes një tjetër aktivitet, që tash e sa vjet ka qenë pjesë e rregullt e edicionit të garave në Federatën e Volejbollit të Kosovës.
Kupa e Federatës 2023, sjell një tjetër format të një aktiviteti, që në aksion do t’i gjejë ekipet që u ranguan në Top-4 të Superligës A, te djemtë dhe te vajzat.
E gjithë gara do të zhvillohet në Pallatin e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, me garën e së shtunës, e cila hapet me gjysmëfinalet e vajzave.
Në gjysmëfinalen e parë ndeshen Prishtina 75 dhe Fushë Kosova nga ora 13:00, kurse në gjysmëfinalen e dytë do të vihen përballë njëtra tjetrës Drita e Skenderaj nga ora 15:00.
Dy ndeshjet e fundit të së shtunës, sjellin duelet e konkurencës së djemve.
Nga ora 17:00 Ferizaj takohet me Dritën, kurse nga ora 20:00 luhet takimi Peja – Skënderbeu.
Finalet janë në program të dielën, kur në orën 16:30 do të zhvillohet ajo e vajzave, kurse nga ora 19:00 finalja e djemve.