Shoqata e Trajnerëve të Volejbollit me mbështetjen e Federatës së Volejbollit të Kosovës, e organizoi seminarin për trajnerët e volejbollit.
Trajnerët e klubeve kosovare, patën mundësi të njoftimit me praktikat më të reja, që janë konform trendit global të zhvillimit të sportit të rrjetës.
Në ligjëratën e tij, fillimisht të pranishmëve u është drejtuar strategu turk Ali Bahadiraksoy, i cili ka folur për shumë tema në interes të trajnerëve, si dhe duke e sjellë bagazhin e tij të pasur nga përvoja në Turqi e më gjerë.
Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Volejbollit, Lorik Ilazi ligjëroi para të pranishmëve me temën “Skuadra garuese para dhe gjatë zhvillimit të garave” si dhe për të ngjajshme.
Seminari u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit Fizik e Sportit (FEFS), dhe në të morën pjesë rreth 40 trajnerë.
Ky seminar e përmbylli sezonin e ngjeshur të aktiviteteve të FVK-së gjatë vitit 2023.