Tirana bën detyrën ndaj Pogradecit

Volejboll

Tirana bën detyrën ndaj Pogradecit

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 23:23
Pamje nga ndeshja

Pas takimeve të javës së 5-të të fazës së grupeve të Ligës Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”, është rikthyer Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra, me ndeshjet e javës së 8-të të nivelit më të lartë të tij, Superligës, që është edhe java e parë e fazës së dytë.

Dhe takimi që ka ulur siparin e kësaj jave ka qenë takimi që u luajt në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në kryeqytet, midis Tiranës dhe Pogradecit.

Në fakt, kjo sfidë, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka rezultuar një rrugë me një kalim për skuadrën bardheblu, e cila e ka mbyllur gjithçka në 3 sete, brenda 64 minutash. Seti i parë ka qenë paksa më i luftuar, me liqenorët që përpiqen të bëjnë rezistencë, por vajzat bardheblu e marrin këtë set 25-20.

Dy setet e tjera nuk kanë patur shumë histori, pasi Tirana e drejtuar nga trajneri veteran, Hasan Guarabardhi, i ka fituar të dy, përkatësisht 25-16 dhe 25-17 dhe gjithë ndeshjen 3-0.

Me këtë fitore, që ishte e 6-ta në këto 8 javë për vajzat bardheblu, Tirana mbetet në vendin 3-të të renditjes, tashmë në kuotën e 18 pikëve, 3 më pak se kampionia në fuqi, Partizani, që mban vendin e dytë, dhe 4 më pak sesa Skënderbeu kryesues.

Ndërsa Pogradeci mbetet në vendin e 5-të, me 9 pikë, po aq sa ka edhe Vllaznia. Java e 9-të e Superligës së Femrave luhet të premten dhe të shtunën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat