Edhe Liga “Gjergj Kastrioti” në volejboll për meshkuj i ka dhënë tashmë verdiktet e saj, teksa ka mbetur vetëm një ndeshje për t’u luajtur, ajo e grupit A, midis Partizanit dhe Vllaznisë.
Një sfidë që nuk ndikon sidoqoftë në fatin e skuadrave të kualifikuara nga ky grup, që janë Partizani dhe Ferizaj, ndërsa Skënderbeu i Kosovës dhe Vllaznia janë eliminuar.
Ndërkaq, të mërkurën, veprimtaria mbarëkombëtare e volejbollit midis Kosovës dhe Shqipërisë, ka përcaktuar edhe dy gjysmëfinalistet e tjera të këtij sezoni, teksa të mërkurën në mbrëmje janë luajtur dy ndeshjet fundit të grupit A, aty ku Peja ka fituar 3-1 ndaj Dritës së Gjilanit, ndërsa në Tiranë është luajtur takimi që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Dhe Tirana ka bërë detyrën Erzenit, që nga ana e tij, erdhi në sfidën e zhvilluar në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, me shpresa të vakëta për kualifikim.
Përtej faktit se bardheblutë e trajnerit Ben Sako e fitojnë setin e parë bindshëm, 25-13, në vetëm 18 minuta, dy setet e tjera do të shohin Erzenin të luftojnë, duke i çuar ato në pikët shtesë, teksa secili prej tyre ka zgjatur plot 29 minuta.
Sidoqoftë, Tirana i fiton të dy setet, përkatësisht 27-25 dhe 26-24 dhe gjithë ndeshjen 3-0, duke e mbyllur në krye të renditjes së grupit A, teksa bardheblutë do të shoqërohen në gjysmëfinale nga Peja, kurse Erzeni dhe Drita e Gjilanit eliminohen. Kështu, në gjysmëfinale, Partizani do të përballet me Pejën, ndërsa Tirana me Ferizajn.