Janë luajtur ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj dhe femra, duke përcaktuar edhe ekipet finaliste në të dyja kategoritë.
MESHKUJ – Tirana kampione mposhti 3-0 Skënderbeun në ndeshjen e dytë luajtur në “Fahrie Hoti”, duke replikuar rezultatin e sfidës së parë (25-19, 25-12, 25-22).
Fitore e lehtë për bardheblutë, që në finale i pret Partizani.
Të kuqtë e trajnerit Ylli Tomorri, në gjysmëfinalen tjetër mundën 3-1 Erzenin (25-22, 23-25, 25-22, 25-21).
Një ndeshje me rivalitet, ku të dyja ekipet dueluan fort në çdo set. Gjithsesi, në fund fitoi Partizani, që u tregua më i saktë në momentet vendimtare.
FEMRAT – Skënderbeu preu i pari një biletë për në finale, pas fitores 3-0 ndaj Partizanit në gjysmëfinalen e kthimit, luajtur në Korçë (25-23, 25-14, 25-15). Ndonëse pritej një ndeshje më e fortë, në fushë dominuan korçaret, që avancojnë më tej.
Përballë tyre në finale do të jetë Tirana, që në gjysmëfinalen tjetër mundi 3-0 Pogradecin në “Fahrie Hoti” (25-15, 25-22, 26-24). Loja e ekipit mik erdhi në rritje nga seti në set, por jo mjaftueshëm sa për të mundur bardheblutë.
Gjysmëfinale-Meshkuj
Nd.1, Skënderbeu – Tirana, 0-3
Nd.1, Partizani- Erzeni, 3-0
Nd.2, Tirana – Skënderbeu, 3-0
Nd.2, Erzeni – Partizani, 1-3
Gjysmëfinale-Femra
Nd.1, Pogradeci – Tirana, 0-3
Nd.1, Partizani – Skënderbeu, 2-3
Nd.2, Skënderbeu – Partizani, 3-0
Nd.2, Tirana – Pogradeci, 3-0