Kuba mposht SHBA-në “nën” Kullën e Eiffelit

Volejboll

Kuba mposht SHBA-në “nën” Kullën e Eiffelit

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 16:02
Pamje

Shiu nuk është ndalur, por atmosfera ishte shumë festive të shtunën pasdite në “Eiffel Tower Stadium”.

Thuajse nën kullën më të famshme në botë, ekipet e SHBA-së dhe Kubës janë përballur në turneun olimpik të volejbollit në rërë. Ishte ndeshja e parë e turneut të volejbollistëve, ndërsa fitore me rezultatin 2:0 në sete shënoi kombëtarja e Kubës.

Në stadiumin e hapur me pamje mahnitëse, kishte më shumë amerikanë.

Por më shumë përkrahje kishte për lojtarët e Kubës. 

Volejbollistët amerikanë, Miles Partain dhe Andrew Benesh nisën më mirë ndeshjen. Por shpejt u përgjigjën kubanët. Nolsen Diaz  Amaro e Jorge Luis Alayo Moliner ishin më superiorë në aspektin fizik dhe përfituan vazhdimisht prej kësaj. Goditjet e tyre ishin më të forta e sidomos dallimi u bë në blloqe. 

Edhe “lidhja” e lojtarëve të Kubës me tifozët në tribuna ishte më e mirë. Pas aksioneve të bukura ata shpesh janë kujdesur për të siguruar duartrokitjet e shikuesve që i kanë përkrahur gjatë gjithë ndeshjes.

Seti i parë përfundoi me rezultat 21:18 për kubanët. Në të dytin, ekipi i Kubës filloi më sigurt. Mbajti epërsi deri në fund për fitore sërish me 21:18. Kështu me rezultatin 2:0 në sete, fitorja i takoi Kubës.

Terreni “Eiffel Tower” me shumë gjasë e ka pozicionin më të mirë në Lojërat e Parisit e po ashtu pamjen më të mirë. Ndeshja hapëse i është përgjigjur pritjes së shikuesve për spektakël dhe njëjtë pritet të jetë i gjithë turneu.

Në volejbollin në  rërë janë 24 ekipe te djemtë. Një shtet prezantohet me më së shumti dy ekipe. Ekipet janë të ndara në gjashtë grupe me nga katër përfaqësuese. Gara pritet të jetë e fortë deri në fund, por kubanët Diaz e Alayo kanë bërë prezantim të fuqishëm në nismë. 

Atmosfera festive në Paris duket që u përshtatet atyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat