Qyteti i volejbollit, Korça, do të jetë ndalesa e fundit e Kombëtares së Kosovës në volejboll, në konkurrencën e vajzave, në përgatitjet për paraqitjet e tyre në kualifikimet për CEV EuroVolley.
“Të martën, Kombëtarja jonë zhvilloi stërvitjen e parë në grumbullimin gjatë së cilit do të pasurohet fondi i orëve të punës dhe gjithashtu komponimi sa më i mirë i skuadrës.
Në një ambient të mirë dhe me një atmosferë fantastike mes grupit, si asnjëherë më parë, po vazhdohet me rekord grumbullimesh, për të synuar një rezultat sa më të mirë.
Në një grup të fortë, Kosova do të kërkojë të lërë gjurmë në kualifikimet për CEV EuroVolley. Në konkurrencën e femrave, Kosova është në grup me Rumaninë dhe Kroacinë, dy kundërshtarë shumë të fortë.
Volejbollistet tona do të hapin kampanjën e kualifikimeve me ndeshjen kundër Kroacisë, që do të zhvillohet në shtëpi më 17 gusht 2024, nga ora 20:00 në Gjilan”, njofton FVK.