Në ndeshjen e dytë të turneut të 48-të memorial "Branko Hadziiljoski – Chajka" Kosova u mposht nga Izraeli me rezultat 3:0 në sete, duke vazhduar kërkimin për formacionin ideal për kualifikimet e CEV EuroVolley.
Pas humbjes së djeshme ndaj Maqedonisë së Veriut, kjo ndeshje i ofroi përzgjedhësit Martin Nemec mundësinë të testojë formula dhe kombinime të ndryshme në kërkim të formacionit më të mirë.
"Seti i parë u karakterizua nga një përballje e fortë në fillim, me Kosovën që mbajti një ritëm të lartë deri në mes të setit. Megjithatë, Izraeli arriti të marrë kontrollin në fund, duke fituar setin 25-19. Lojtarët tanë u përpoqën ta rikthenin epërsinë, por kundërshtarët ishin më të saktë në pikat vendimtare.
Seti i dytë tregoi një dominim të qartë të Izraelit, që nga fillimi deri në fund. Kosova pati vështirësi në mbrojtje dhe në organizimin e sulmeve, duke humbur setin me një diferencë të madhe prej 25-13. Ky set ishte një mundësi për Nemec që të eksperimentonte me ndryshime taktike, por Izraeli mbeti i pakapshëm.
Seti i tretë ishte më i balancuar, me Kosovën që tregoi shenja të rikuperimit dhe luftoi deri në fund. Megjithatë, Izraeli arriti ta mbyllë setin 25-20, duke siguruar fitoren e përgjithshme. Pavarësisht humbjes, ky set ofroi një pasqyrë të qartë për përmirësimet e nevojshme dhe opsionet taktike për të ardhmen.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Kosovës në turne dhe përzgjedhësi Nemec shfrytëzoi mundësinë për të kërkuar kombinimet më të mira për kualifikimet e ardhshme në CEV EuroVolley", - njofton FVK:.