Shqipëria ka mbyllur ndeshjet e saj në grup në Kampionatin Ballkanik U-20 në volejboll për djem, aktivitet që po mbahet prej datës 13 gusht në Vrnjacka Banja të Serbisë.Kuqezinjtë e drejtuar nga dyshja e trajnerëve Elton Tukseferi dhe Klodian Kasa, triumfuan dje kundër Moldavisë me rezultatin 3-1, në takimin e tyre të fundit në Grupin B.
Shqipëria zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, për të merituar plotësisht fitoren e parë në këtë kompeticion. Kombëtarja jonë e të rinjve e filloi ndeshjen mjaft mirë, duke komanduar tërësisht në parket që në setin e parë, për të fituar thellë 25-15.
Në setin e dytë ishin moldavët më mirë, të cilët u shpërblyen me fitoren 18-25, duke vendosur baraspeshën 1-1. Seti tretë ishte i luftuar, me të dyja ekipet që kërkonin të marrin epërsinë, por Shqipëria ishte më e vendosur, duke kryesuar në pjesën më të madhe të kohës, për ta fituar këtë fraksion 25- 20.
Seti i tretë nisi i ekuilibruar, por gradualisht Shqipëria mori frenat e lojës nën kontroll dhe nisi shkëputjen. Kombëtarja jonë sulmoi me efikasitet si dhe zhvilloi një fazë mbrojtëse të mirë, duke triumfuar në shifra të thella 25-15, për të vulosur suksesin final me rezultatin 3-1.
Kështu Shqipëria merr 3 pikët e para në grup, pas humbjeve që kishte pësuar në dy takimet e para, fillimisht ndaj Turqisë me rezultatin 1-3 dhe më pas kundër Bullgarisë në shifrat 0-3. Shqipëria U-20 sot do të qëndrojë pushim, ndërsa do të rikthehet nesër në parket për ndeshjet e klasifikimit final për vendin e pestë dhe të gjashtë në Kampionatin Ballkanik U-20, kompeticion ku marrin pjesë shtatë përfaqësuese moshash. Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në Grupin A dhe Shqipëria, Turqia, Bullgaria dhe Moldavia në Grupin B.