Turneu i Beach Volley Mix, i organizuar nga Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, përfundoi me sukses, duke kurorëzuar tre çiftet më të mira të këtij edicioni.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të nismës “Prishtina qytet evropian i sportit”.
Në vendin e parë u renditën Xhudjena Kruti dhe Gazmend Husaj, të cilët morën shpërblimin prej 500 eurosh, së bashku me medalje dhe kupë.
Në vendin e dytë u renditën Valmira Ramadani dhe Xhenklaud Muqa, duke fituar shpërblimin prej 300 eurosh, ndërsa vendi i tretë shkoi për çiftin Lyra Pireva dhe Adriatik Berisha, të cilët morën 200 euro.
Kupat për tre vendet e para u ndanë nga Presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërkohë, medaljet u ndanë nga Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së, drejtori për sport në Prishtinë, Kushtrim Mushica, mysafiri i veçantë Rob Clarke, afaristi e partneri i FVK-së, Faton Paçarada, pronar i Vlera Sport, dhe Florian Miftari, dekan në ardhje i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS).
Ky turne, përveçse promovoi sportin dhe përfshirjen në aktivitetet rekreative, ishte një tjetër dëshmi e përkushtimit të Komunës së Prishtinës dhe FVK-së për të sjellë ngjarje sportive të nivelit të lartë në kryeqytetin e Kosovës.