Sezoni sportiv 2024-2025 në volejboll është në prag. Pas ndeshjeve të Kupës së Federatës zhvilluar javën e kaluar, ku triumfuan Partizani për meshkuj dhe Skënderbeu për femra, është radha e kampionatit.
Kështu, më datat 13 dhe 14 shtator, do të luhen ndeshjet e javës së parë. Ajo që bie në sy është reduktimi në 7 i skuadrave te meshkujt. Sezonin e ri nuk do të luajë një ekip me traditë si Erzeni, që nuk është regjistruar në kampionat.
Te femrat, bie në sy rikthimi në elitën e volejbollit shqiptar i ekipit të Dinamos, që do të debutojë ndaj Barleti Volley. Skuadra kryeqytetase, drejtuar nga Altin Martiri, zuri vendin e Lushnjës, që ka zbritur në Kategorinë e Parë.
Në superligën e femrave janë 8 ekipet më të mira, ndërsa në Kategorinë e parë janë regjistruar vetëm 5 skuadra: Elbasani, Flamurtari, Lushnja, Mirdita e Korabi. Ende nuk ka një datë se kur do të nisë ky kampionat.
Java e parë që nis më datën 13 shtator dhuron mjaft ndeshje interesante, por spikat derbi Partizani-Tirana në të dyja kategoritë, që luhen një ditë më pas. Një sezon që pritet ët dhurojë mjaft emocione.
Superliga-Meshkuj, java e parë
13 shtator, Skënderbeu – Teuta, 15:00
13 shtator, Elbasani – Studenti, 18:00
14 shtator, Partizani – Tirana, 19:00
Vllaznia (pushim)
Superliga-Femra, java e parë
13 shtator, Vllaznia – Pogradeci, 12:00
13 shtator, Barleti Volley – Dinamo, 16:00
13 shtator, Skënderbeu – Teuta, 17:00
14 shtator, Partizani – Tirana, 17:00