Me përfundimin e Kupës së FSHV-së, aktivitet i zhvilluar fundjavën e kaluar në Farkë, ku triumfuan Skënderbeu për femra dhe Partizani për meshkuj, tashmë volejbolli shqiptar është gati për startin e kampionateve kombëtare.
Sporti i rrjetës do të ngrejë sot siparin e edicionit 2024-2025 të Superligave për femra e meshkuj, teksa do të nisin javët e para të kampionateve.
Në Superligën e femrave do të jenë tetë ekipet pjesëmarrëse: Skënderbeu kampion në fuqi, Tirana, Partizani, Vllaznia, Barleti, Pogradeci, Teuta dhe Dinamo, emër legjendar që rikthehet në elitë pas shumë vitesh. Java e parë do të startojë sot me tri ndeshje. Vllaznia-Pogradeci në orën 13:00 në Shkodër, Barleti-Dinamo në orën 16:00 në “Asllan Rusi” dhe Skënderbeu-Teuta në orën 17:00 në Korçë.
Java do të mbyllet me derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana, të shtunën në orën 17:00 në “Asllan Rusi”. Kupa e FSHV-së tregoi se Skënderbeu mbetet skuadra për t’u mundur edhe këtë edicion.
Me nga 20 tituj kampionë të fituar nga secila, Dinamo dhe Tirana janë ekipet më të trofeshme në historinë e volejbollit të femrave në Shqipëri.