Superliga e volejbollit të meshkujve ka zhvillu ar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet dy ndeshje të vlefshme për javën e tretë. Partizani dhe Tirana morën fitore përkatësisht kundër Studentit dhe Teutës. Duke e nisur nga kampionët në fuqi, të kuqtë e Ylli Tomorrit koleksionuan suksesin e tretë të pastër në po kaq ndeshje të luajtura në këtë fillim sezoni.
Kështu Partizani triumfoi ndaj Studentit me rezultatin 3-0 në “Asllan Rusi”. Megjithatë, ndonëse në shifra të pastra, përballja nuk ishte pa rivalitet, pasi Studenti provoi të rezistonte, duke e vendosur jo pak në vështirësi Partizanin, sidomos në setin e parë. Skuadra e drejtuar nga Kestrin Batalli ishte vazhdimisht në avantazh në setin e parë, ndërsa u përmbys vetëm momentet e fundit, me të kuqtë që fituan pas pikëve shtesë 27- 25.
Për t’u theksuar në çastet finale të setit ishin edhe pretendimet e Studentit për një vendim të gjyqtarëve, gjë që solli edhe ndëshkimin me karton të kuq të Katriel Myrtës. Seti i dytë foli tërësisht për Partizanin dhe u mbyll në shifra të thella 25-17.
Në setin e tretë rivaliteti ishte më i lartë, teksa Studenti tentoi të reagonte, por gradualisht më pas kualiteti i Partizanin bëri diferencën në parket, ndërsa Ledion Martiro firmosi “match point”-in, duke e vulosur setin 25-21 dhe të gjithë përballjen 3- 0 në harkun kohor prej 1 ore e 49 minutash. Ledion Martiro me 18 pikë, Osman Qepa me 12 dhe Raul Sabliqi me 10 pikë udhëhoqën sulmin e kuq në këtë sukses.
Për Studentin nuk mjaftoi paraqitja fantastike e kapitenit Armando Gaxiri, protagonist me 21 pikë, ndërsa Anis Cullhaj realizoi 12 pikë.