Partizani nuk fal

Volejboll

Partizani nuk fal

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 13:33
Pamje nga ndeshja

Partizani vijon ecurinë e shkëlqyer në këtë fillim sezoni në Superligën e volejbollit të femrave. Skuadra e Hasan Gurabardhit shënoi një tjetër sukses në ndeshjet derbi, teksa dje mposhti Dinamon me rezultat të pastër.

Kështu pas sukseseve 3-0 kundër Tiranës në javën e parë dhe ndaj Teutës në javën e dytë, Partizani bind sërish, duke mos lëshuar asnjë set rrugës në këto dalje të para sezonale, për ta konsoliduar edhe më shumë kreun. Sfida e zhvilluar dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” nuk dhuroi asnjë surprizë, teksa eksperienca, kualiteti dhe organizimi më i mirë i të kuqeve bënë diferencën në parket, ndonëse luajnë me një ekip 100% vendor.

Nga ana tjetër, Dinamo, me disa vajza të reja dhe me dy të huaja në përbërje, me gjithë dëshirën e madhe për të bërë mirë, nuk mundi të mbante ritmin e rivaleve. Kështu Partizani e mori shpejt epërsinë në setin e parë, për ta fituar 25-19, me kapitenen Çezarina Xheka që shënoi pikën e fundit direkt nga shërbimi.

Skenari nuk ndryshoi as në setin e dytë, me Partizanin dominues ndaj vajzave që drejtohen nga tekniku italian, Michelangelo Maggialetti, ndërsa Joana Kushi fiksoi shifrat finale të setin 25-16.

Diferencat ishin edhe më të mëdha në setin e tretë, ndërsa Dinamo nisi ta shtojë serinë e gabimeve.

Protagoniste e “match piont”-it ishte Joana Kushi, e cila vulosi setin 25-11 dhe të gjithë takimin 3-0 në harkun kohor prej 1 ore e 19 minutash. Xhovana Kaçorri me 14 pikë dhe Joana Kushi me 12 udhëhoqën ofensivën e kuqe.

Për Dinamon shënuesja më e mirë ishte ukrainasja Nikol Mchedlishvili, me 12 pikë. Për sa u përket takimeve të tjera të javës së tretë, Tirana mundi Teutën me rezultatin 3-2 në sfidën hapëse më 25 shtator. Java do të kompletohet sot me ndeshjet Skënderbeu-Vllaznia në orën 14:00 në Korçë dhe Barleti-Pogradeci në orën 15:00 në “Asllan Rusi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat