Kampionati kombëtar i volejbollit të meshkujve ka hapur dje javën e katërt, me ndeshjet Vllaznia-Partizani dhe Studenti-Tirana, takime që nisën me një minutë heshtje në nderim të trajnerit legjendar, Vangjel Koja, i ndarë nga jeta disa ditë më parë.Sfida e parë e ditës u zhvillua në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, atje ku Partizani mposhti Vllazninë me rezultatin 0-3 për 1 orë e 20 minuta lojë.
Të kuqtë, që në këtë takim drejtoheshin nga Elton Tukseferi, vijojnë të mos njohin kundërshtarë, duke koleksionuar kështu suksesin e radhës, për t’i forcuar pozitat në krye të tabelës pa humbur asnjë set. Partizani e filloi ndeshjen mjaft mirë, duke i treguar muskujt që në setin e parë, ku fitoi thellë 15-25. Seti i dytë ishte më i ekuilibruar, i mbyllur 22-25 për miqtë. Në setin e tretë të kuqtë ndryshojnë sërish marsh, për të triumfuar 16-25. Dyshja Osman Qepa – Raul Sabliqi udhëhoqën kampionët, duke realizuar nga 13 pikë secili. Për Vllazninë shënuesi më i mirë ishte Gilman Talani me 10 pikë.
Më tej në mbrëmje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” zbritën në parket Studenti dhe Tirana për derbin e kryeqytetit. Një sfidë e dominuar nga ekipi studentor i trajnerit Kestrin Batalli, që arriti të fitonte me rezultatin 3-1.
Studenti u tregua menjëherë superior, duke marrë setin e patë 25-19, ndërsa bardheblutë e Arben Sakos u kundërpërgjigjën në të dytin, për të fituar 17-25, duke vendosur baraspeshën. Më tej takimi nuk kishte më histori, pasi Studenti dominon në çdo aspekt, ndërsa Tirana është tërësisht e hutuar. Studentorët shpërthejnë, duke i marrë në shifra të thella dy setet e radhës, përkatësisht 25-12 dhe 25-14, për të koleksionuar 3 pikët. Njeriu i ndeshjes ishte Armando Gaxiri, me kapitenin që shënoi 19 pikë për Studentin, mbështetur nga Bledi Mateni me 17 pikë. Emiljan Xhabrahimi dhe Fabio Hoxha realizuan nga 13 pikë secili për Tiranën.