Superliga e volejbollit të femrave ka hapur dje javën e katërt me dy ndeshjet e para.Sporti i rrjetës rikthehet në parket pasi i dha lamtumirën trajnerit legjendar, Vangjel Koja, i ndarë nga jeta disa ditë më parë.
Takimi i parë ishte ai i zhvilluar në Shkodër mes Vllaznisë vendëse dhe Partizanit.
Asnjë surprizë në këtë përballje, me vajzat e Hasan Gurabardhit që dhuruan një tjetër provë bindëse, duke marrë triumfin e katërt të pastër, për të blinduar kreun me pikë të plota pa lëshuar asnjë set. Skuadrës kryeqytetase i mjaftuan 1 orë e 17 minuta për ti mbyllur llogaritë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Të kuqet ishin dominuese në të tria setet, duke i marrë ato bindshëm përkatësisht në shifrat 15-25, 19-25 dhe 21- 25. Ishte Joana Kushi ajo që stampoi “match point”-in për Partizanin, duke merituar edhe vlerësimin MVP, me plot 26 pikë të realizuara në këtë takim. Paraqitje e mirë edhe nga Xhovana Kaçorri, autore e 13 pikëve.
Për Vllazninë kuotë dyshifrore pikësh prekën amerikania Taurie Magge me 12 pikë dhe Esmeralda Tuci me 11, ndërsa vajzat kuqeblu rrëshqasin në vendin e fundit të tabelës.
Në sfidën tjetër të zhvilluar dje, Teuta bëri goditjen në transfertën e Pogradecin, duke i mposhtur liqenoret me rezultatin 1- 3. Ky ishte suksesi i parë për vajzat e trajnerit Edmond Jazexhi, të cilat ngjiten nga vendi i fundit në katërtin. Teuta i dha dy “shuplaka” të menjëhershme pogradecareve, duke fituar setin e parë 16-25 dhe të dytin 22- 25. Vendëset reaguan në setin e tretë, duke triumfuar 25-18, për të ngushtuar në 1-2. Seti i katërt ishte më i bukuri i ndeshjes, duke dhuruar rivalitet të lartë. Durrsaket festuan pas pikëve shtesë në shifrat 24- 26, me të gjithë ndeshjen që u mbyll 1-3 në harkun kohor të 2 orëve e 19 minutave. Romina Allamani me 16 pikë, kolumbiania Danny Toro me 14 pikë dhe braziliania Barbara Barbosa me 12 pikë udhëhoqën ofensivën bregdetare. Për liqenoret spikatën Edona Kalludra me 19 pikë lojtarja nga Barbadosi, Seale Shonte, me 17 pikë.
Java e katërt do të kompletohet sot me dy ndeshjet e mbetura, teksa në orën 16:00 në Farkë do të luhet derbi Dinamo-Tirana, ndërsa në orën 17:00 do të përballen Barleti dhe Skënderbeu në “Asllan Rusi”.