​Gjinovci: Kampionati Evropian U16, moment historik për volejbollin e Kosovës

Volejboll

​Gjinovci: Kampionati Evropian U16, moment historik për volejbollin e Kosovës

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 11:29
Bahri Gjinovci

Në vazhdën e pjesëmarrjeve në shumë gara ndërkombëtare deri më tani, viti 2025 do të jetë edhe më i rëndësishëm për sportin e volejbollit në Kosovë. Në fakt, Federata e Volejbollit të Kosovës ka fituar të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian U16 për vajza që do të zhvillohet nga 2 deri më 13 korrik, dhe i cili do të jetë në bashkëpunim me Shqipërinë.

Kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, në një intervistë për Kp, ka thënë se zhvillimi i këtij kampionati është moment historik për volejbollin e Kosovës.

Gjinovci: Zhvillimi i Evropianit U16 moment historik për volejbollin e Kosovës

“Vërtetë është një lajm i mirë për sportin tonë dhe për volejbollin në veçanti. Nga data 2 deri më 13 korrik të vitit 2025 do ta organizojmë Kampionatin Evropian U16 për vajza me pjesëmarrjen e 27 ekipeve nga gjithë Evropa. Faza e parë dhe e dyta do të organizohet në grupe të ndara sipas zonave në kuadër të Konfederatës Evropiane të Volejbollit, ndërsa faza finale do të organizohet me 16 ekipet më të mira që do të dalin nga këto dy faza. Vlen të theksohet se Kosova dhe Shqipëria si nikoqire do të kualifikohen direkt në fazën finale...Unë e shoh si një moment historik për të dy vendet duke treguar fuqinë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në sport”, tha Gjinovci.

Përkitazi me fitimin e së drejtës për ta organizuar këtë kampionat, Federata e Volejbollit së fundi mbajti edhe Kuvendin Zgjedhor, ku Gjinovci është rizgjedhur kryetar edhe për katër vite të tjera, besim ku që ,sipas tij, erdhi për shkak se në katër vitet e kaluara vojebolli ka kaluar në një nivel tjetër të cilësisë.

Gjinovci: Brenda katër viteve kemi pasur rritje të cilësisë në sportin e volejbollit

“Këto katër vite kemi qenë një ndër federatat me më së shumti aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Më shumë e kemi pasur fokusin tek gjeneratat e reja, qëllimi ynë ka qenë që më tepër t’i mbështesim gjeneratat e reja. Nga viti në vit kemi pasur ngritje te gjeneratat e reja. Disa vite më herët kur kemi garuar me shtetet që kanë qenë superfuqi të volejbollit në botë, na kanë lënë me pikë njëshifrore, ndërsa këto katër vite që po i lëmë pas, përveç që nuk kemi marrë pikë njëshifrore, ne kemi fituar edhe sete, kemi fituar me ekipe që janë superfuqi në volejboll me 3-2. Do të thotë nga viti në vit ka pasur ngritje të nivelit dhe cilësisë në volejboll”, theksoi më tutje Gjinovci.

Por jo gjithçka është brenda binarëve. I pari i FVK-së thekson se mungesa e infrastrukturës po e pengon jashtëzakonisht shumë zhvillimin e volejbollit në Kosovë.

Gjinovci: Mungesa e infrastrukturës, pengesë e madhe për zhvillimin e këtij sporti

“Problemi më i madh është infrastruktura. Shumë herë na duhet të dalim jashtë kryeqytetit për aktivitete ndërkombëtare sepse në Prishtinë kemi vetëm dy palestra të cilat i plotësojnë kushtet për aktivitete ndërkombëtare. Kjo është një mungesë e madhe dhe unë mendoj që në të ardhmen duhet të investohet më shumë në infrastrukturë për të pasur suksese dhe për t’iu dhënë hapësirë më shumë edhe kombëtareve tona”, shtoi Gjinovci.

E për mandatin e ri, Gjinovci thotë se ka këto objektiva kryesore.

Gjinovci: Shtrirja e volejbollit tek gjenerata e reja është synimi im kryesor

“Puna me gjeneratat e reja, edukimi dhe avancimi i trajnerëve do të jetë një nga prioritet e mia kryesore, rritja e buxhetit të Federatës së Volejbollit të Kosovës. Ne duhet të sigurohemi që sporti ynë të ketë burime të mjaftueshme financiare për të zhvilluar projektet tona të reja dhe për të ndihmuar zhvillimin e klubeve dhe avancimin e volejbollit në të gjitha nivelet. Pastaj do të vazhdojmë me projektin në shkolla, një nismë që e shoh si një shtyllë thelbësore për ta rritur brezin e ardhshëm të volejbollistëve”, bëri të ditur Gjinovci.

Ai gjithashtu theksoi se do të synohet edhe rritja e kapaciteteve të trajnerëve, gjyqtarëve dhe administratorëve përmes seminareve të ndryshëm që ata të jenë bartës të zhvillimit të volejbollit në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat