Teuta shkëlqen në shtëpi

Volejboll

Teuta shkëlqen në shtëpi

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 12:30
Teuta

Me ndeshjen Teuta-Barleti, Superliga e volejbollit për femra ka hapur dje javën e shtatë, një javë që shënon edhe fundin e fazës së parë.Durrsaket triumfuan me rezultatin 3-1, një sukses që erdhi më përmbysje për vajzat e trajnerit Edmond Jazexhi, pas një loje që zgjati 1 orë e 44 minuta.

Takimi i zhvilluar në “Ramazan Njala” nisi me një epërsi të lehtë në pikët e para për Teutën, por më pas Barleti e mori lojën në kontroll, duke e fituar setin e parë bindshëm, 20-25. Në setin e dytë janë kryeqytetaset që e fillojnë më mirë, por bregdetaret reagojnë dhe përmbysin në 25- 21. I treti dhuron rivalitet deri në shifrat 11-11, ndërsa më tej lojtaret e Teutës dominojnë totalisht, me Stela Agollin që fikson shifrat finale 25-15, duke kaluar vendëset përpara 2-1.

Fraksioni i katërt i lojës është më i ekuilibruar, por sërish janë durrsaket më të sakta në momentet vendimtare dhe fitojnë 25-21, duke vulosur suksesin final. Kolumbiania Danny Sofia Mesa Toro, me 20 pikë, ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes, mbështetur nga Romina Allamani me 14 pikë dhe kubanezja Brenda Mia Nold Ferrer me 13. Për Barletin, e vetmja që preku kuotë dyshifrore ishte kapitenia Xhenifer Pira me 10 pikë.

Kjo ishte fitorja e tretë në kampionat për Teutën, me bregdetaret që pozicionohen në vendin e katërt, ndërsa Barleti mbetet në vend të parafundit me 1 fitore dhe 6 humbje.Java e shtatë do të vijojë nesër një sfidë pretendetesh, teksa Tirana dhe Skënderbeu do të matin forcat në orën 18:00 në “Farie Hoti”. Të shtunën në orën 15:00 Partizani do të presë Pogradecin në “Asllan Rusi”, ndërsa në orën 16:00 në Farkë do të luhet ndeshja Dinamo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat