tFederata e Volejbollit e Kosovës ka marrë konfirmimin për vazhdimin e projektit “Coach Support for Technical and Tactical Development of National Teams” edhe për një vit tjetër, pas implementimit të suksesshëm të vitit të parë. Ky projekt, i cili ka qenë nën udhëheqjen e ekspertit të njohur Ali Bahadir Aksoy, ofron një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e ekipeve tona kombëtare.
“FVK do të ketë tashmë mundësinë të angazhojë një tjetër ekspert ndërkombëtar për të vazhduar me sukses punën për përparimin teknik dhe taktik të ekipeve.
FIVB konfirmon me anë të deklaratës së mëposhtme:
“Është kënaqësia jonë e madhe, në emër të Presidentit Dr. Ary S. Graça F°, t’ju njoftojmë se marrëveshja për projektin e Kosovës për Mbështetjen e Trajnerëve për Zhvillimin Teknik dhe Taktik të Ekipeve Kombëtare është rinovuar për 12 muaj.”
Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për FIVB-në dhe përkrahjen e vazhdueshme që i ofron projekteve nga Kosova. Me rinovimin e projektit “Coach Support for Technical and Tactical Development of National Teams,” FIVB dëshmon përkushtimin për të investuar në zhvillimin e sportit tonë dhe për të forcuar potencialin e ekipeve tona kombëtare.
Implementimi i këtyre projekteve ka ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetin e volejbollit, duke sjellë ekspertizë ndërkombëtare që rrit nivelin teknik dhe taktik të lojtarëve dhe trajnerëve tanë.
Ky është një hap përpara për të arritur standarde të larta dhe për të ndikuar pozitivisht në të ardhmen e volejbollit tonë”, ka njoftuar FVK.