Skënderbeu ka dalë me një fitore mjaft të bukur nga kryeqyteti, teksa ka thyer Tiranën me rezultatin 2:3 në takimin e dytë të vlefshëm për javën e shtatë në Superligën e volejbollit për meshkuj.
Skuadra e drejtuar nga Arben Prifti triumfoi në një ndeshje që zgjati 2 orë e 10 minuta në sallën “Farie Hoti”. Korçarët, me dy lojtarë të huaj në përbërje, edhe pse dy herë në disavantazh setesh, arritën që të përmbysnin.
Ndërsa nga ana tjetër Tirana vijon ecurinë me luhatje, për ta mbyllur fazën e parë me 3 fitore dhe po kaq humbje, ku është paraqitur me një ekip tërësisht shqiptar. Për sa i përket ndeshjes, ishte skuadra e Arben Sakos ajo që e nisi më mirë, duke fituar setin e parë 25- 18.
Miqtë rikthyen baraspeshën, teksa morën të dytin 22-25, por Tirana iu përgjigj me të njëjtat shifra në setin e tretë, duke rimarrë epërsinë. Skënderbeu reagoi më së miri në fraksionin e katërt të lojës, të cilin e dominoi tërësisht, për ta fituar 17-25, duke e dërguar kështu takimin me set final. Seti i pestë ishte me shumë emocione, me Tiranën që pati epërsi në momentet e para, por më pas korçarët reaguan fuqishëm.
Një lojë shumë e luftuar që dhuroi një seri të gjatë pikësh shtesë, ndërsa në fund festuan miqtë, teksa Klaudjo Barçi me një bllok fitues u bë protagonisti i “match piont”-it, duke fiksuar shifrat e setit 19-21 dhe të gjithë ndeshjes 2-3 për Skënderbeun. Caylor Cox me 18 pikë, Marildi Musaka me 17 dhe Emanuel Driza me 15 spikatën në ofensivën korçare. Për Tiranën nuk mjaftoi paraqitja super e Emiljan Xhabrahimit, autor i 35 pikëve, mbështetur nga Norgen Baruti me 15.