Tirana përmbys Partizanin

Volejboll

Tirana përmbys Partizanin

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 12:24
Pamje nga ndeshja

Java e dytë e fazës së grupeve në Kupën e Shqipërisë në volejboll për femra është hapur me një përballje spektakolare derbi ndërmjet Partizanit dhe Tiranës.

Festa ishte për vajzat bardheblu, të cilat fituan me rezultatin 2-3 në takimin e djeshëm në sallën e Farkës, sfidë e vlefshme për Grupin B. Derbi i kryeqytetit vendoste përballë të kuqet, që vijojnë të përfaqësohen me një ekip tërësisht vendor dhe bardheblutë me tri të huaja në përbërje.

Takimi nisi më mirë për Partizanit, me vajzat e Hasan Gurabardhit që morën setin e parë 25-20.

Seti i dytë ishte më i luftuar, por sërish të kuqet u treguan më të sakta, për të fituar 25-23, duke kaluar në avantazh të dyfishtë setesh.

Por kur pritej goditja finale e Partizanit, erdhi reagimi i fuqishëm i skuadrës së Adrian Gorencës. Vajzat bardheblu gjetën forca dhe morën bindshëm setin e tretë në shifrat 20-25, duke ngushtuar në 2- 1.

Seti i katërt dhuroi një betejë të fortë në parket nga pika e parë deri te e fundit, me të dyja skuadrat që i përgjigjeshin thuajse pas çdo sulmi njëra-tjetrës. Tirana fitoi pas pikëve shtesë në shifrat 24-26, duke e çuar derbin me set final. Ana psikologjike në setin e pestë ishte dukshëm në favor të ekipit bardheblu, teksa Tirana u shfaq dominuese duke fituar 11-15, për të vulosur suksesin e parë në derbin e Kupës pas një loje që zgjati 2 orë e 25 minuta.

Me këtë fitore Tirana merr e vetme kreun e Grupit B në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Partizani renditet në vend të dytë. me 4 pikë. Me ndeshjen Vllaznia-Pogradeci sot në orën 18:00 në Shkodër, do të mbyllen java e dytë në Grupin B. Për sa i parket Grupit A, java e dytë do të zhvillohet të shtunën me sfidat Barleti-Dinamo dhe Skënderbeu-Teuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat