Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj do nisë sot ndeshjet e javës së dytë për fazën e grupeve.
Pasi qëndroi pushim në javën e parë për shkak të numrit tek të ekipeve në Grupin A,
Partizani do të bëjë sot debutimin sezonal në kompeticionin të dytë më të rëndësishëm kombëtar.
Të kuqtë e Ylli Tomorrit, të cilët janë edhe mbajtësit në fuqi të trofeut, do të përballen me Studentin në orën 18:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Skuadra studentore e drejtuar nga Kestrin Batalli mundi në javën e parë Teutën dhe do të synojë të bëjë surprizën.
Për sa i përket Grupi B, dy ndeshjet e javës së dytë do të luhen të shtunën. Spikat takimi mes Skënderbeut dhe Tiranës në orën 15:00 në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”.
Si korçarët gjithashtu edhe bardheblutë e kanë nisur me fitore Kupën dhe synojnë vijimësinë e rezultateve pozitive. Takimi tjetër i këtij grupi do të jetë ndërmjet Elbasanit dhe Vllaznisë në orën 16:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.