Të kuqtë e Ylli Tomorrit njohin vetëm fitore dhe të gjitha në shifra të pastra në çdo kompeticion ku marrin pjesë, ndërsa suksesi më i fundit ka ardhur mbrëmë në debutimin sezonal në Kupën e Shqipërisë. Partizani triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Studentit në ndeshjen e javës së dytë për Grupin A.
Të kuqve iu mjaftuan 1 orë e 16 minuta lojë, për t’i mbyllur llogaritë e derbit të kryeqytetit, duke hipotekuar edhe 3 pikët e para në Kupë.
Sfida e zhvilluara në “Asllan Rusi” u hap me tri pikë radhazi të Studentit, por reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm, për ta fituar më pas setin e parë 25-18. Në fraksionin e dytë të kuqtë ishin përpara që nga fillimi e deri në fund, duke e marrë setin në shifrat 25-17.
Ekipi studentor i drejtuar nga Kestrin Batalli provoi të reagonte në setin e tretë, por për ta ishte e vështirë përballë një kundërshtari me më shumë kualitet. Kështu Partizani e fitoi edhe setin e tretë me rezultatin 25-20, për ta filluar më këmbë të barë mbrojtjen e trofeut të Kupës, si fitues në fuqi i këtij kompeticioni. Më këtë sukses “demat” marrin edhe kryesimin e Grupit A.