Gjinovci e Nikqi në asamblenë zgjedhore të FIVB-së

Volejboll

Gjinovci e Nikqi në asamblenë zgjedhore të FIVB-së

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 13:18
Gjinovci e Nikqi

Delegacioni i Federatës së Volejbollit të Kosovës po merr pjesë në Kongresin e 39-të Zgjedhor të Federatës Botërore të Volejbollit (FIVB), që po mbahet në Porto, Portugali. 

“Ky kongres, që zhvillohet në datat 15-16 nëntor, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme për të gjitha federatat anëtare të FIVB-së, duke përfshirë edhe Kosovën. Federata e Volejbollit e Kosovës po përfaqësohet në këtë ngjarje ndërkombëtare nga presidenti Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi.

Kongresi do të fokusohet në një sërë pikash të rëndësishme për zhvillimin dhe drejtimin e mëtejshëm të volejbollit në nivel botëror.

Një nga çështjet më të rëndësishme në rendin e ditës është procesi zgjedhor për postin e presidentit të ri të FIVB-së, i cili do të udhëheqë organizatën për katër vitet e ardhshme.

Zgjedhja e drejtuesit të ri do të ndikojë në orientimin dhe politikat strategjike të FIVB-së, duke përfshirë mbështetjen për federatat anëtare dhe promovimin e sportit të volejbollit në nivel global.

Pas përfundimit të Kongresit Zgjedhor, më 17 nëntor do të mbahet Samiti i Volejbollit, ku përfaqësuesit do të kenë mundësi të diskutojnë tema që synojnë përparimin e volejbollit dhe beach volley-it në të gjitha nivelet. Në samit pritet të diskutohen strategji për rritjen e kapaciteteve të federatave, promovimin e gjerë të volejbollit në komunitete të ndryshme, si dhe përmirësimin e standardeve dhe infrastrukturës në këtë sport.

Pjesëmarrja e Federatës së Volejbollit të Kosovës në këto dy ngjarje të rëndësishme reflekton përkushtimin e saj për të qenë e pranishme dhe aktive në zhvillimet ndërkombëtare të volejbollit, duke synuar që përvoja dhe njohuritë e përfituara të kontribuojnë në ngritjen e këtij sporti në Kosovë”, njofton FVK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat