Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka zhvilluar dje ndeshjen e radhës në fazën e grupeve.
Teuta fitoi në shtëpi kundër Barletit me rezultatin e pastër 3-0 në sfidën e javës së tretë në Grupin A.
Një sukses i rëndësishëm për durrsaket e trajnerit Edmond Jazexhi, të cilat marrin 3 pikë me vlera, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në gjysmëfinale.
Me tri volejbolliste të huaja në përbërje dhe me disa lojtare të vendore të rëndësishme si Romina Allamani, Stela Agolli apo Lorgeta Avdyli, Teutës i mjaftuan 1 orë e 15 minuta lojë për ti mbyllur llogaritë e ndeshjes përballë ekipit modest universitar.
Rivalitet dhuroi vetëm seti i parë, i udhëhequr nga Barleti deri në pikët 18-20. Më tej bregdetaret realizojnë 7 pikë radhazi, për të fituar 25-20. Seti i dytë dhe i tretë dominohen nga vendëset, teksa mbyllen përkatësisht në shifrat 25-14 dhe 25-18.
Kjo ishte fitorja e dytë në tri javë të Kupës për Teutën, triumf që e çon në kuotën e 6 pikëve ekipin durrsak, po aq sa Skënderbeu, me korçaret që sot në orën 16:00 do të luajnë kundër Dinamos në Farkë.Ndërkohë Barleti mbetet në vend të tretë, me një fitore dhe dy humbje. Për sa i përket Grupit B, sot në orën 16:00 Tirana pret Vllazninë në “Farie Hoti”, ndërsa java e tretë u hap të enjten me fitoren e pastër të Partizanit në transfertë ndaj Pogradecit.