Për Partizanin, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për Kampionatin apo Kupën, pasi të kuqtë po konfirmohen një makineri fitoresh edhe në këtë sezon.Kryeqytetasit regjistruan suksesin e radhës në shifra të pastra, teksa dje likuiduan Teutën 0-3 në Durrës, takim i vlefshëm për javën e tretë të Kupës së Shqipërisë në Grupin A. Skuadrës së Ylli Tomorrit i mjaftuan 1 orë e 17 minuta lojë për të hipotekuar 3 pikët.
Partizani u tregua superior gjatë të gjithë kohës dhe i mori thellë të tria setet, 16-25 të parin dhe të dytin, si dhe 12-25 të tretin. Me këtë fitore Partizani konsolidon pozitat në vendin e parë në grup, ndërsa për durrsakët kjo ishte humbja e dytë.
Dje u zhvillua gjithashtu edhe ndeshja e Grupit B ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut. Një takim i luftuar, ku për të përcaktuar fituesin u nevojitën pesë sete dhe 2 orë e 5 minuta lojë. Në fund ata që festuan ishin kuqeblutë e Artan Kalasë, të cilët triumfuan me rezultatin 3-2.
Seti i parë ishte me rivalitet të lartë, me Vllazninë që fitoi 25-23. Shkodranët thelluan në 2-0, duke marrë edhe të dytin 25-18. Fraksioni i tretë shkoi më pikë shtesë, me Skënderbeun që fitoi 25-27. Korçarët vendosën baraspeshën, teksa morën edhe të katërtin 22-25.
Megjithatë vendësit u rikthyen në setin final, duke fituar 15- 11, për të dalë me 2 pikë nga kjo sfidë, ndërsa korçarët largohem me 1 pikë nga Shkodra, por mbeten të parët në grup.Sot në orën 18:00 do të kompletohet java e tretë me ndeshjen Tirana-Elbasani në “Farie Hoti”.