Klubi i volejbollit “Prishtina 75” pati një përvojë të veçantë në javën e fundit të nëntorit në Turqi.
Nga data 26 deri më 29 nëntor 2024 klubi prishtinas ishte pjesë e kampit që u organizua me ftesë të klubit prestigjioz “Eczacıbaşı”, një emër i njohur në volejbollin turk dhe ndërkombëtar.
“Gjatë qëndrimit në Stamboll, “Prishtina 75” zhvilloi dy ndeshje miqësore me ekipe të nivelit të lartë:
27 nëntor 2024: Ndeshje kundër ekipit “Yeşil Yurt”, pjesë e Ligës së Parë të Turqisë. Takimi përfundoi me rezultat 3:1 në favor të ekipit vendas, por ofroi një përvojë të vlefshme për lojtaret kosovare.
28 nëntor 2024: Ndeshje kundër ekipit U20 të “Eczacıbaşı”, ku “Prishtina 75” humbi me rezultat 3:0.
Megjithatë, rezultati ishte në plan të dytë, pasi qëllimi kryesor ishte përfitimi nga përvoja dhe ngritja e nivelit të ekipit.
Klubi kosovar shfaqi potencial premtues, veçanërisht duke marrë parasysh përbërjen e tij të re, me tre lojtare të reja në moshat 13, 14 dhe 15 vjeç.
Projekti u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, për çka klubi shprehu mirënjohje të veçantë.
Pjesëmarrja në këtë kamp ishte një mundësi e shkëlqyer për të rritur përvojën ndërkombëtare të ekipit dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me klube të njohura”, njofton FVK.