Në kuadër të projektit FIVB Empowerment, sot përfundoi me sukses seminari treditor për gjyqtarët e rinj të volejbollit, i mbajtur në Holiday Resort, Sllatinë.
"Ky seminar, organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK), kishte për qëllim përgatitjen dhe aftësimin e brezit të ri të gjyqtarëve, duke ndjekur standardet më të larta të vendosura nga Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB).
Gjatë seminarit, Burim Zymeri dhe Istref Elezaj, gjyqtarë ndërkombëtarë nga Kosova, së bashku me Ardian Ibraj, Komesar i Garave, ndanë përvojën dhe njohuritë e tyre për të ndihmuar pjesëmarrësit në zhvillimin profesional.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 30 gjyqtarë të rinj, të cilët kaluan nëpër ligjërata teorike dhe sesione praktike, duke u përqendruar në:
Standardizimin e vendimeve gjyqësore,
Përgatitjen për sfidat në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare,
Përmirësimin e komunikimit dhe analizës së situatave gjatë ndeshjeve.
Ky seminar ishte pjesë e vizionit të FVK-së për të rritur cilësinë e arbitrimit dhe për të përmbushur objektivat strategjike të FIVB, që përfshijnë ngritjen e kapaciteteve lokale dhe përgatitjen e kuadrove për angazhime ndërkombëtare.
Federata e Volejbollit të Kosovës falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit, duke riafirmuar angazhimin për zhvillimin e sportit të volejbollit në Kosovë", njofton FVK.