Dinamo e Tiranës me përforcime

Volejboll

Dinamo e Tiranës me përforcime

Më: 15 janar 2025 Në ora: 17:31
Dinamo

E rikthyer në elitë pas më shumë se një dekade mungesë, Dinamo e volejbollit të femrave e mbylli fazën e parë me 2 fitore dhe 5 humbje, duke u renditur në vend të pestë, ndërsa është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, duke i humbur katër ndeshjet e para në grup.Tashmë ekipi kryeqytetas është futur fuqishëm në merkato për pjesën e dytë të sezonit, teksa ka realizuar tri goditje.

20 herë kampionet e Shqipërisë në sportin e rrjetës kanë afruar tri lojtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat prej një jave kanë mbërritur në Tiranë dhe janë bashkuar me ekipin. Ato janë dy sulmueset anësore, Desiree Sukhov dhe Journey Blevins, ndërsa Jenna Zyldo aktivizohet në pozicionin e qendrës.

Volejbollistet tashmë janë federuar me ekipin dhe priten që ta rrisin ndjeshëm nivelin e skuadrës blu që drejtohet nga trajneri italian Michelangelo Maggialetti.

Në këtë pjesë të dytë të sezonit, Dinamo synon fillimisht të sigurojë zonën “play off” dhe më pas, pse jo, të luajë shanset e saj për titullin kampion, trofe që mungon që prej vitit 2007 në muzeun e klubit kryeqytetas.

TIRANA, IKËN BELISARIO – E afruar me shumë bujë në fillim të sezonit, aventura e Johenlis Belisario te Tirana ka zgjatur vetëm pak muaj. Volejbollistja 24-vjeçare nga Venezuela, disa ditë më parë ka mbyllur bashkëpunimin me ekipin bardheblu. Ishte lojtarja vetë që e kërkoi largimin dhe me konsensus e ndërpreu kontratën me klubin. Tashmë Tirana është futur në merkato për të gjetur zëvendësuese, por deri më tani nuk asgjë konkrete për pasuesen e lojtares venezuelase.

KUPA – Volejbolli do të rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e para për vitin 2025, teksa do të luhet dita e pestë për fazën e grupeve në Kupën e Shqipërisë.

Në Grupin A, më datë 17 janar në orën 16:00 në Durrës, do të luhet takimi ndërmjet Teutës dhe Skënderbeut, skuadra që tashmë e kanë prerë bletën për në gjysmëfinale, ndërsa mbetet për t’u zyrtarizuar vetëm vendi i parë. Ndërsa më 18 janar në orën 16:00 sallën e Farkës do të zhvillohet derbi DinamoBarleti, takim që ka vetëm vlerë statistikore, pasi të dyja skuadrat tashmë janë eliminuar matematikisht nga kompeticioni.

Duke kaluar në Grupin B, të dyja ndeshjet e ditës së pestë do të zhvillohen më datë 18 janar. Spikat derbi ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, sfidë që do të luhet në orën 16:00 në sallën “Farie Hoti”. Ndërkohë, më herët, në orën 15:00, Pogradeci pret Vllazninë. Situata në këtë grup është e ekuilibruar, teksa pas 4 takimeve të para, Tirana kryeson me 9 pikë, më tej vijnë Partizani me 8 pikë, Vllaznia me 6 dhe Pogradeci me 1 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat