Ka ndërruar jetë Bedrije Gashi.
Pas një sëmundje të rëndë iku në amshim ish volejbollistja e mirënjohur e Kosovës.
Federata e Volejbollit e Kosovës, me president Bahri Gjinovci, i shprehin ngushëllime familjes dhe komunitetit të këtij sporti.
“Në emër të Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe në emrin tim personal, shpreh dhimbjen e thellë për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-volejbollistes së shquar të KV “Universiteti” të Prishtinës, Bedrije Gashi (Beda).
Beda ishte një emër i madh i volejbollit tonë, një sportiste e përkushtuar dhe një shembull i shkëlqyer që frymëzoi shumë gjenerata. Ajo dha një kontribut të pashoq në sukseset e klubit dhe ishte me plot merita për arritjen historike të kualifikimit në garat elite të asaj kohe, në ish-Jugosllavi.
Përveçse një volejbolliste e jashtëzakonshme, Beda ishte edhe një punëtore e palodhshme në QKUK, duke dhënë shembullin e saj edhe jashtë fushës sportive.
Me ndarjen e saj nga jeta, sporti i Kosovës humbi një figurë të vyer, por kujtimi për të do të mbetet përherë i gjallë në zemrat tona.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit sportiv.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet më 27.01.2025, në ora 12:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Bedrijen!”, ka shpreh ngushëllime Bahri Gjinovci, president i Federatës së Volejbollit të Kosovës.