Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 9-të të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, një kampionat gjithnjë nën komandën e Partizanit. Skuadra kampione fitoi 3-0 ndaj Teutës (25-20, 25-14, 25-16) në “Asllan Rusi”, duke korrur një fitore relativisht të lehtë, në një ndeshje ku dominoi vazhdimisht.
Në Elbasan, ekipi mik i Vllaznisë fitoi 3-1 ndaj vendasve (20-25, 25-23, 25-20, 25-22). Një ndeshje me rivalitet shumicën e kohës, ku të dyja skuadrat dueluan fort për fitoren, por në fund triumfuan volejbollistët e Vllaznisë, që morën tri pikë të rëndësishme për renditje.
Fitore të vështirë korri Skënderbeu, që mundi në Korcë 3-2 Studentin (27-25, 23-25, 16-25, 25-21, 15-6). Të dyja skuadrat duelojnë për vendin e dytë, aty ku qëndron ende Skënderbeu, që vuajti shumë për të mposhtur miqtë nga kryeqyteti. Një ndeshje që dhuroi mjaft emocione.
Superliga-Meshkuj, java e 9-të
Elbasani – Vllaznia, 1-3
Skënderbeu – Studenti, 3-2
Partizani – Teuta, 3-0
Tirana (pushim)
Renditja: Partizani 24 pikë, Skënderbeu 17 pikë, Studenti 14 pikë, Tirana 10 pikë, Vllaznia 8 pikë, Teuta 8 pikë, Elbasani 0 pikë.