Skënderbeu feston me përmbysje në Shkodër

Volejboll

Skënderbeu feston me përmbysje në Shkodër

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 15:37
Pamje nga ndeshja

Superliga e volejbollit për femra ka hapur dje javën e dhjetë më përballjen mes Vllaznisë dhe Skënderbeut në Shkodër.

Korçaret e Orlando kanë vijuar serinë e fitoreve në kampionat, teksa e kaluan me sukses edhe këtë transfertë, duke triumfuar me rezultatin 1-3 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Megjithatë, për të mbërritur te fitorja, kampionet në fuqi nuk e patën aspak të lehtë, pasi Vllaznia bëri një lojë të mirë, duke qenë rivalizuese në parket.

Shkodranet madje befasuan, duke marrë setin e parë bindshëm 25-18, por më pas erdhi reagimi i mikeve. Skënderbeu riktheu baraspeshën, teksa fitoi setin e dytë 23-25, ndërsa përmbysi në 1-2, duke marrë edhe fraksionin e tretë në shifrat 20-25.

Në setin e katërt korçaret shkëputen shpejt dhe me gjithë përpjekjet e vendëseve arrijnë të fitojnë 23- 25, duke vulosur triumfin final 1- 3 në harkun kohor të 1 ore e 55 minutave. Kjo ishte fitorja e dhjetë në po kaq ndeshje për Skënderbeun, që i forcon kështu edhe më shumë pozitat në vendin e parë, ndërsa Vllaznia renditet e gjashta me bilancin e 3 fitoreve dhe 7 humbjeve.

Caroline Moreira De Sousa me 25 pikë si dhe kapitenia Elena Bego me 19 udhëhoqën ofensivën korçare kundër Vllaznisë, ndërsa për vajzat kuqeblu të trajneres Nora Deda nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer nga Azraa Williams, protagoniste me 29 pikë.

Java e dhjetë e Superligës do të vijojë sot me ndeshjet Teuta-Tirana në orën 14:00 në Durrës dhe derbi Dinamo-Partizani në orën 16:00 në Farkë, për t’u mbyllur të shtunën me takimin Pogradeci-Barleti në orën 17:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat