Superliga e volejbollit për femra ka zhvilluar dje dy takime të vlefshme për javën e dhjetë. Tirana dhe Partizani siguruan fitore të pastra përkatësisht kundër Teutës dhe Dinamos.TEUTA-TIRANA – Takimi i parë i ditës ishte na Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” mes Teutës dhe Tiranës.
Vajzave bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca u mjaftuan 1 orë e 21 minuta lojë për “të kopsitur” fitoren në shifrat 0-3. Ndonëse fillimisht ishin bregdetaret ato që bënë disi më mirë, duke kryesuar deri në pikët 16-14, më tej kryeqytetaset ndryshuan marsh.
Të udhëhequra nga kapitenia Enkeleda Braho, Tirana e mori lojën nën kontroll për ta fituar setin e parë 20-25.
Edhe në setin e dytë Teuta provon fillimisht të rezistojë, por Tirana përmirësohet dhe fiton 18-25. Në setin e tretë loja nuk ka histori, pasi miket shkëputen në pikë dhe fitojnë thellë 12-25, duke hipotekuar 3 pikët në kampionat. Enkeleda Braho, me 16 pikë, udhëhoqi ofensivën bardheblu në këtë sfidë, ndërsa për Teutën shënuesja më e mirë ishte rusja Alisa Trubyuk me 10 pikë.DINAMO-PARTIZANI –
Në sallën e Farkës u zhvilluar derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit, takim ku festuan të kuqet.
Skuadra e drejtuar nga Andi Lundra triumfoi me rezultatin 0-3 në një përballje që zgjati 1 orë e 26 minuta. Ndonëse me një ekip tërësisht vendor dhe me pak zgjedhje nga pankina, Partizani u shfaq superior ndaj Dinamos, me këto të fundit që u përforcuan edhe me tri lojtare amerikane në merkaton e dimrit.
Të kuqet i treguan muskujt që në setin e parë, duke e marrë bindshëm 16-25, ndërsa thelluan në 0-2, teksa fituan edhe setin e dytë 20-25. Dinamo provoi të reagonte në setin e tretë, por me gjithë përpjekjet e vajzave blu, Partizani triumfoi 23-25, duke bërë të tijin suksesin në derbi. Joana Kushi me 18 pikë të shënuara, mbajti si gjithnjë peshën kryesore në sulmin e kuq, ndërsa te Dinamo shënuesja më e mirë ishte Journey Blevins, me 13 pikë.