Skënderbeu dhe Tirana, sërish përballë në finalen e Kupës

Volejboll

Skënderbeu dhe Tirana, sërish përballë në finalen e Kupës

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 12:00
Pamje nga një ndeshje

Ashtu sikurse në sezonin e kaluar, Skënderbeu dhe Tirana do të matin forcat përsëri në finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Pasi kishin fituar ndeshjet e para në transfertë, korçaret dhe vajzat bardheblu kaluan dhe me sukses edhe gjysmëfinalet e kthimit, përkatësisht kundër Partizanit dhe Teutës.

Pasi kishte triumfuar 1-3 në kryeqytet, Skënderbeu tregoi forcën edhe në ndeshjen e kthimit kundër Partizanit. Korçaret fituan me rezultatin e pastër 3-0 në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, duke i mbyllur llogaritë për 69 minuta lojë. Skuadra e drejtuar nga Orlando Koja ishte dominuese në parket, ndërsa të kuqet e Andi Lundrës, me një ekip tërësisht vendor, e kishin të pamundur për t’ia ndryshuar fatet takimit.

Megjithatë sfida nisi në mënyrë interesante, me Partizanin që fillimisht i bëri ballë mjaft mirë vendëseve, deri në shifrat 19-19. Por korçaret do ta realizonin diferencën në fund, duke e fituar setin e parë 25-19. Edhe në setin e dytë miket e nisin mirë, por gradualisht doli në pah kualiteti i Skënderbeut, që arriti të fitonte edhe më thellë, 25-16. Ndonëse me kualifikimin në finale tashmë të siguruar,

Skënderbeu jo vetëm që nuk lëshoi në setin e tretë, por përkundrazi, u shfaq dominues në çdo aspekt, për të fituar 25-13, duke arritur finalen e katërt radhazi në Kupën e Shqipërisë, kompeticion që i shikon korçaret fituese në dy edicionet e fundit. Caroline Moreira me 16 pikë dhe Elena Bego me 13 spikatën në ofensivën korçare, për Partizanin asnjë lojtare nuk mbërriti në kuotë dyshifrore pikësh.

Pas fitores 2-3 në Durrës, Tirana e kompletoi punën duke triumfuar edhe në gjysmëfinalen e dytë në sallën “Farie Hoti”. Vajzat bardheblu fituan me rezultatin e pastër 3-0 në një përballje që zgjati 72 minuta, për të konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalojnë në javët e fundit. Seti i parë nisi me rivalitet, teksa durrsaket kërkuan reagimin, por gradualisht Tirana u shkëput për të ftuar 25-21.

Në dy setet e tjera, kryeqytetaset e trajnerit Adrian Gorenca ishin dukshëm superiore në parket, për të ftuar thellë, 25-16 në të dytin dhe 25-9 në të tretin, aty ku ashtu sikurse në edicionin e kaluar, do të gjejnë sërish Skënderbeun. Federata Shqiptare e Volejbollit ka zgjedhur Korçën si vendin pritës të finales së Kupës, teksa sfida Skënderbeu-Tirana do të luhet më datë 15 mars.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat