KV Drita ka shkruar histori duke fituar për herë të parë trofeun e Ligës Gjergj Kastrioti, i cili ishte titulli i vetëm që i mungonte klubit gjilanas.
Drita e mposhti Ferizajn me rezultat 3:0 (25:11, 25:23, 25:17).
Dominimi i Dritës u pa që në setin e parë, ku skuadra nga Gjilani zhvilloi një lojë të shkëlqyer dhe fitoi 25:11.
Ferizaj reagoi në setin e dytë, duke luftuar deri në fund, por Drita tregoi qetësi dhe e mbylli atë me rezultat të ngushtë 25:23.
Në setin e tretë, Drita nuk la vend për surpriza, duke e siguruar fitoren me 25:17 dhe duke ngritur trofeun e madh.
Trofeun për kampionen e re të Ligës Gjergj Kastrioti e ndau presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci, ndërsa çmimin MVP, që iu dha pasueses së Dritës, Melek Erbuga, e ndau presidenti i FAHV-së, Erlind Pëllumbi.
Sekretarët e përgjithshëm të të dyja federatave, së bashku me nënkryetarët dhe anëtarët e bordeve respektive, ndanë medaljet për ekipet finaliste, duke kurorëzuar një edicion spektakolar të garës.