Partizani i Tiranës ka fituar për herë të dytë radhazi Ligën Gjergj Kastrioti, duke triumfuar ndaj Skënderbeut në një finale të fortë dhe dramatike.
Skënderbeu e nisi ndeshjen më mirë, duke fituar setin e parë 22:25.
Por Partizani reagoi fuqishëm në setin e dytë, duke dominuar me 25:13. Pjesa më emocionuese erdhi në setin e tretë dhe të katërt, ku të dyja skuadrat luftuan për çdo pikë.
Në setin e tretë, Partizani mbajti epërsinë deri në fund (25:23), ndërsa në të katërtin, pas një beteje të fortë, arriti të mbyllë ndeshjen me 26:24, duke mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar.
Kupën për kampionët e Partizanit e ndau presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, ndërsa çmimin MVP e fitoi Raul Sabliqi, me trofeun individual që iu dorëzua nga presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci.
Sekretarët e përgjithshëm të të dyja federatave, së bashku me nënkryetarët dhe anëtarët e bordeve, ndanë medaljet për finalistët, duke përmbyllur një edicion të jashtëzakonshëm të garës.