Ka qenë thjesht e mrekullueshme.
Dikur volejbolli shqiptar mburrej me një Ela Tase apo Mimoza Ibrahimi, e shumë më herët me të paharruarën Fahrie Hoti, ndërsa sot stafetën e ka një yll vërtet I shkëlqyer që luan në Itali.
Erblira Bici, 29-vjeçarja e mrekullueshme, shtatlartë 1.85 metra, u konfirmua si njëra nga lojtaret më të mirë të elitës në Apenine, ndërsa tani nis momenti vendimtar.
Në Serinë A të volejbollit për femra përfundoi faza e rregullt prej 26 ndeshjesh, dhe fillon plej ofi.
Bici e përfundoi këtë fazë si shënuesja e katërt më e mirë e kampionatit, me plot 481 pikë, apo mesatarisht 18.5 pikë për ndeshje.
Ish-lojtarja e Barletit në Shqipëri u la prapa vetëm nga të shquara si Jekaterina Andropova apo Anet Nemeth.
Në sfidën e fundit, fituar skuadra e saj Valefolia 3-1 ndaj Kuneos, Erblira shënoi 18 pikë, nga të cilat 15 në sulm dhe 3 në bllok.
Ajo u dallua edhe nga pikët nga shërbimi, me 24 të tilla, duke qenë në vend të 13-të në Serinë A, ndonëse e lënë prapa nga 3 shoqe të ekipit me në krye Kamila Vajcl me 35.
Përfundimi ishte 11 fitore e 15 humbje, dhe vendi i shtatë në klasifikim.
Në plej of, Valefolia nuk është favorite sepse në çerekfinale do të luajë ndaj Milanos, që zuri vendin e dytë në kampionat, me duelin e parë në 9 mars, pra të dielën e ardhshme, dhe të dytin në 16 mars.
Në gjysmëfinale, kualifikohet ai ekip që fiton I pari dy ndeshje, e ndoshta Bici do të bëjë mrekullinë duke udhëhequr ekipin në një sukses të pamenduar.
Fatkeqësisht, Roma, ekipi ku Erblira luajti për dy sezone duke fituar edhe trofe, e duke qenë më e mira, ra nga Seria A1, në kategorinë e dytë apo në A2.