Në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, duke vendosur lule te varrezat e heronjve të kombit.
Këto homazhe u zhvilluan në prag të finaleve të turneut mbarëkombëtar “Kupa Adem Jashari” në volejboll, një aktivitet i përvitshëm që organizohet në kuadër të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Gjinovci shoqërohej nga drejtuesit e KV Skenderaj si dhe ekipet pjesëmarrëse në turne, përfshirë KS Teuta nga Durrësi, KV Ferizaj, KV Fer Volley dhe klubin nikoqir, KV Skenderaj.
Në këtë mënyrë, volejbolli jo vetëm që po promovon garën sportive, por edhe po nderon historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar.