Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), nën drejtimin e presidentit Bahri Gjinovci, ka mbajtur me sukses Kuvendin e Rregullt të Punës 2024.
Mbledhja u organizua më 21 mars 2025, në ambientet e Holiday Resort, në Sllatinë të Madhe, duke përmbledhur një vit të dinamik dhe duke përcaktuar drejtimet për të ardhmen e volejbollit kosovar.
Kuvendi u hap nga presidenti i FVK-së, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të volejbollit në Kosovë.
Pas hapjes zyrtare, delegatët vijuan me zgjedhjen e organeve të Kuvendit, duke përfshirë Komisionin Verifikues dhe procesmbajtësin e mbledhjes.
Në kuadër të punimeve, u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë dokumentesh dhe vendimesh kyçe për funksionimin e federatës, përfshirë:
• Rendi i ditës dhe procesverbali i Kuvendit të Punës dhe Zgjedhor 2024
• Raporti i Punës për vitin 2024, ku u prezantuan sukseset, sfidat dhe zhvillimet e FVK-së gjatë vitit të kaluar
• Raporti i auditimit dhe financiar, duke siguruar transparencë në menaxhimin financiar të federatës
• Raporti i Këshillit Mbikëqyrës, ku u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me administrimin dhe funksionimin e federatës
• Plani i aktiviteteve dhe buxheti për vitin 2025, i cili përfshinte projektet dhe objektivat për avancimin e volejbollit në vend
• Shqyrtimi dhe Miratimi i Statutit të FVK-së, një dokument i rëndësishëm për përmirësimin e strukturës organizative të federatës
Në pikën “Të ndryshme”, delegatët patën mundësinë të diskutojnë çështje të ndryshme të volejbollit kosovar, duke sjellë propozime dhe ide për të ardhmen.
Në përmbyllje, presidenti Gjinovci falënderoi të gjithë të pranishmit për angazhimin dhe kontributin e tyre, duke theksuar se FVK-ja do të vazhdojë punën për rritjen dhe zhvillimin e volejbollit në Kosovë, me synim ngritjen e nivelit të garave dhe pjesëmarrjen më dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
Me këtë, Kuvendi i Punës 2024 u mbyll, duke vendosur bazat për një vit të ri me sfida dhe mundësi të reja për volejbollin.