Superliga e volejbollit të femrave është në metrat e fundit të sezonit të rregullt, teksa janë luajtur tri takime për javën e 13-të. Skënderbeu vijon të komandojë me të gjitha fitore, teksa suksesi më i fundit për vajzat e Orlando Kojës erdhi dje ndaj Partizanit.
Korçaret, të cilat vinin në këtë takim pas disfatës në finalen e Kupës kundër Tiranës, “shfrynë” duke i mposhtur të kuqet 0-3 (15-25, 22-25, 21-25) në “Asllan Rusi”. Skënderbeu i mbylli llogaritë për 77 minuta, duke e siguruar matematikisht vendin e parë, një javë para fundit të sezonit të rregullt. Elena Bego udhëhoqi ofensivën mike, me 18 pikë. Në radhët e Partizanit, Xhovana Kaçorri shënoi 19 pikë.
Të enjten, në takimin hapës të javës, Tirana likuidoi Barletin 3-0 (25-10, 25- 18, 25-19) në harkun kohor të 70 minutave. Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe nuk e patën aspak të vështirë ndaj universitareve, të rëna tashmë nga kategoria. Lojtarja e ndeshjes ishte e “zakonshmja” Enkeleda Braho, autore e 17 pikëve për Tiranën.
Skuadra bardheblu në këtë sfidë u dha minuta edhe lojtareve të akademisë, të trajneres Rudina Omari, që prej vitesh po bën një punë të shkëlqyer me moshat. Në ndeshjen e zhvilluar dje në Farkë, Dinamo mposhti Pogradecin 3-0 (25-23, 25-23, 25- 20).
Një ndeshje me rivalitet, por vajzat blu u treguan më të sakta, për të merituar 3 pikët. Jenna Zyldo spikati në sulmin e Dinamos, duke shënuar 15 pikë.
Seale Shonte realizoi e 14 pikë për liqenoret. Java e 13-të do të mbyllet sot me ndeshjen Teuta-Vllaznia, në orën 14:00, në Durrës. Një takim me vlerë të dyfishtë, si për zonën para “play off”, gjithashtu edhe për të shmangur “play out”-in.