Supersfida kundër Skënderbeut

Volejboll

Supersfida kundër Skënderbeut

Më: 28 mars 2025 Në ora: 14:34
Tirana

Superliga e volejbollit të femrave do të zhvillojë javën e 14-të, e cila është e fundit për sezonin e rregullt.Verdiktet thuajse janë dhënë të gjitha, me Skënderbeun dhe Tiranën të kualifikuara në “play off”, ndërsa Partizani, Pogradeci dhe Dinamo do të jenë në para “play off”. E vetmja dilemë mbetet mes Teuta dhe Vllaznisë për ekipin që shkon në para “play off” dhe atë që kalon në “play out”, me durrsaket që janë dukshëm më të favorizuara, si nga renditja gjithashtu edhe nga kalendari.

Ndërkohë në nivelin e dytë të sportit të rrjetës zbret Barleti.

Duke kaluar të ndeshjet e javës së 14-të, sot do të luhen tri takime. Spikat përballja Skënderbeu-Tirana në orën 17:00 në Korçë, sfidë që konsiderohet edhe si një finale e parakohshme e kampionatit.

Kujtojmë që vetëm dy javë më parë vajzat bardheblu i tronditën korçaret para publikut të tyre, duke i mundur finalen e Kupës së Shqipërisë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, për të ngritur lart trofeun.

Në ndeshjet e tjera, Vllaznia pret Dinamon në orën 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të zhvillohet takimi Barleti-Teuta në “Asllan Rusi”. Sezoni i rregullt do ta ulë siparin të shtunën me sfidën Pogradeci-Partizani (ora 17:00).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat