Një medalje e artë dhe tri të bronzta, kjo është mrekulli dhe që e lartëson shtetin e Kosovës në glob.
Xhudistja Loriana Kuka (-78 kg) sot bëri mrekullinë, shkëlqeu luftë pas lufte dhe fitoi medaljen e bronztë në garën e fortë Masters në Doha të Katarit.
Pas të artës së Distria Krasniqit dhe të bronztës së Majlinda Kelmendit e Nora Gjakovës, edhe Loriana me medalje, gjithsej katër medalje për 3 ditë. Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se është një sukses i jashtëzakonshëm.
“Sot me medaljen e Lorianës edhe përfundon Mastersi i këtij viti me epilog 4 medalje dhe një vend i 7-të.
Sukses i jashtëzakonshëm për xhudon e Kosovës dhe konfirmim i pamohueshëm i normave olimpike për të pesë garuesit.
Sa i përket Lorianës kam deklaruar edhe dje se nëse e kalon luftën e dytë atëherë pres medalje, kjo edhe ndodhi.
Loriana sot e konfirmoj se është potencial apsolut për medalje olimpike duke besuar po ashtu se deri në Lojërat Olimpike do ta ngris formën akoma.
Si kryetar i Federatës shprehi kënaqësinë dhe i përgëzoj gjithë ekipin të udhëhequr nga Driton Kuka për punën dhe sakrificën për të arritur këto suksese”, tha Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.