Komiteti Olimpik i Kosovë e ka shpallur xhudisten Distria Krasniqi, si “Sportisten e vitit 2020”.
Kjo për shkak të rezultateve mbresëlënëse të saj në garat ndërkombëtare.
“Pa kurrëfarë diskutimi çmimi “Sportistja e Vitit 2020” i takon Distria Krasniqit, e cila mbizotëroi tatamin në garat e ndryshme ndërkombëtare. Xhudistja jonë pati vitin më të mirë në karrierën e saj, duke u ngjitur në podium sa herë që mori pjesë në gara. Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në kampionatin evropian të mbajtur në Pragë, ndërsa medaljen e artë e fitoi në Grand Slamet e Parisit dhe Budapestit”, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.
Xhudistja vitin e kaluar e ka përmbyllur si e para në ranglistën botërore deri në 48 kilogramë.
“Qershia mbi tortë ishte mbyllja e vitit 2020 në vendin e parë në renditjen botërore dhe olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë. Distria mbetet shpresa e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat Olimpike Tokio 2020”, njofton Komiteti.