Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar xhudisten Distria Krasniqi (- 48 kg) për medaljen e artë në Kampionatin Evropian.
"Distria e artë!
Sot, Distria Krasniqi, u shpall kampione e Evropës për herë të parë.
Xhudistet tona të arta - të arta me medalje e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë. S’ka si të jetë ndryshe! Këto arritje të tyre janë reflektim i pastër i punës së palodhshme, angazhimit në një mision me qëllim të qartë, e konsistencë në këtë drejtim.
Ditën e parë të punës si Presidente e fillova pikërisht me Distrian dhe xhudistet tona fantastike. Atë ditë e kuptova edhe njëherë që secila nga këto vajza janë shkëndija në vete e që s’do të ndalen së shndrituri asnjëherë.
Faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve, për nderin që po i bëni Republikës sonë.
Vetëm përpara e gjithnjë më fitore të reja!", ka shkruar presidentja Osmani në profilin e saj në facebook.