Distria Krasniqi sot në Lisbonë u stolis me medalje të artë pasi u shpall kampione evropiane në xhudo.
Ajo e pati rrugëtimin e lehtë deri në finale mirëpo aty nuk u ndesh me kampionen e botës, ukrainases Daria Bilodid, pasi që kjo e fundit u tërhoq shkaku i lëndimit.
“Osht një ndjenjë shumë e mirë, osht hera e parë që bohna kampione e Evropës”, tha Krasniqi.
“Është nder para lojërave olimpike me u stolisë me medalje të artë edhe me qenë kampione e Evropës; dihet që kampionati i Evropës është një garë shumë e vështirë edhe është shumë e madhe”.
Krasniqi tha se luftën deri në finale e ka pasur të lehtë, mirëpo për të ka qenë e rëndësishme përballja me Bilodidin, në mënyrë që t’i masë forcat me të para një ballafaqimi eventual në lojërat olimpike.
“Për mu ka qenë me rëndësi ajo luftë që me e ditë ku jom edhe para lojërave olimpike, se si do të ndeshem me të por ky është sport, edhe ndodhin edhe lëndimet, por jam shumë e lumtur që arrita me u kthy me medalje të artë edhe pse nuk jam ndeshur në finale”.
“Në këtë turne kom vendosë me marrë pjesë vetëm për shkak të saj që me e pasë një luftë me të para lojërave olimpike por ndodhi që ajo u lëndu para luftës finale, fati deshi që të mos ndeshem me të edhe këtë herë”.
Krasniqi tha që nuk e di nëse do të marrë pjesë në kampionatin botëror të xhudos, porse i mbetet prioritet përqendrimi në lojërat olimpike të Tokios 2020 që në të vërtetë janë shtyrë për t’u mbajtur sivjet.
“Për mu çka ka mbetë është veç me u fokusu mirë për Tokio, me ushtru me e jepë maksimumin edhe shpresoj që të mos kem lëndime deri atëherë edhe me e pasë një paraqitje sa ma të mirë”.