Trajneri i xhudos në Kosovë, Driton Kuka ka bërë të ditur se do të krijohet strategji afatgjate për rritjen e këtij sporti që i vetëm po mban primatin e medaljeve Olimpike.
Ai përmes një postimi në ”Facebook”, ka theksuar se tri medalje të arta Olimpike po shëndrisin vitrinat e heroinave në shtëpitë e tyre në Pejë, prandaj sipas tij nëse xhudo nuk bëhet pjesë e sistemit edukativ-shkollor do jetë vështirë të vazhdohet me rezultate në kontinuitet.
”Ritual para rrathëve Olimpik! Pas fitores në finalen e madhe të Disit kundër Japonezes! Strategji afatgjatë për rritjen e sportit që i vetëm po mban primatin e medaljeve Olimpike! Federata jonë do vazhdoj të punoj tutje sdo ndalemi por tashmë koha të shihet xhudo pak më ndryshe!”, ka shkruar Kuka.
Kujtojmë që, Driton Kuka dhe xhudistja, Distria Krasniqi janë nominuar për t’u shpallur si më të mirët në botë në këtë sport.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos do ta ndajë çmimet e më të mirëve për vitin 2021 në muajin dhjetor dhe tashmë është hapur votimi për të përzgjedhur më të mirët. Kuka është në garë me dyshen e trajnerëve të Francës Larbi Benboudaoud dhe Christophe Gaglian, Robert Eriksoonin, Yvonne Boenisch dhe Kosei Inoue. Krasniqi garon me Clarisse Agbegnenou, Abe Uta, Anna Maria Wagner dhe Jessica Klimkait.
Votimi do të mbyllet më 10 dhjetor kurse çmimet do të ndahen më 18 dhjetor.