Xhudistja Laura Fazliu është nënkampione e Evropës për kategorinë – 63 kg.
Paraqitjet e saj lanë pa frymë të gjithë njohësit botëror.
Ajo tregoi formë të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Shpejtësia e saj ishin arma shkatërruese për kundërshtaret dhe ia doli të stoliset me medalje të argjendtë, duke u futur në histori.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/May/01/auto_auto_616271259031651400540.jpg)
Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se Laura ka sakrifikuar shumë.
Agron, a tejkaluat parashikimet me Laurën, një histori tjetër, një mrekulli tjetër, ku ishte arma e saj?
“Së pari ju them se medalja e Laurës na ka gëzuar tej mase të gjithëve, se në një farë forme Laurën si ekip e kemi pikë të dobët me faktin se është vajza që ka sakrifikuar më së shumti nga të gjithë tjerët duke lënë familjen e saj në Mitrovicë si 15 vjeçare dhe ka ardhë në Pejë me synim të qartë për t’u avancuar në sportin e xhudos.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/May/01/auto_auto_016247051091651400537.jpg)
Agron Kuka
T’ju them të drejtën për Laurën vetëm e kemi pritur momentin, andaj nuk është diçka e papritur edhe pse dje përveç finales luftërat tjera ka shkëlqyer.
Arma kryesore e Laurës ishte forca dhe shpejtësia marramendëse që natyrisht vinë si rezultat i punës dhe sakrificës shumë vjeçare.
Laura është sportistja e radhës me medalje elitare (por jam i sigurtë jo të vetmen) në sportin e xhudos, andaj si komunitet jemi shumë të kënaqur që elitarët po shtohen e padyshim kjo do vazhdoj falë punës brilante të trajnerit tani me epitetin e trajnerit më të mirë Evropian dhe Botëror Driton Kuka”, thotë Agron Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Të premten, Distria Krasniqi ka fituar medalje të bronztë në kategorinë – 52 kg. Dy medalje, edhe një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën, falë vëllezërve Kuka, Dritonit dhe Agronit.